MEDITIMI NË ISLAM

Një prej cilësive më të rëndësishme, që do ta ngrejë njeriun në majat më të larta shpirtërore, është meditimi i së vërtetës duke u zhytur në thellësitë e heshtjes. Meditimi i realizuar nën dritën e shpalljes hyjnore, është çelës i besimit. Sa më shumë të përparojë njeriu gjatë jetës me meditim në thellësitë e ndjenjave, aq më shumë përfiton prej dashurisë hyjnore dhe aq më shumë i shtohet edhe lumturia në botën e përjetshme.

Allahu i Madhëruar, duke i ftuar robërit e Tij drejt meditimit, urdhëron:

“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për të zotët e mendjes!” (Ali Imran, 190)

“Për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) «O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto, lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Al-i Imran, 191)

“Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë vënë të patundur?! Po Tokën, se si është shtrirë?!” (Gashije, 17-20)

Kurani Fisnik është një udhërrëfyes i pashoq i udhëzimit dhe lumturisë, i cili e fton njeriun vazhdimisht drejt meditimit, që prej ajetit të parë e deri tek ajeti i fundit, duke kërkuar prej tij reflektimin mbi urtësitë e krijimit, rregullin e përsosur në gjithësi dhe në Kuranin Fisnik, si një mrekulli e fjalës.

Gjithashtu, Kurani Fisnik e paralajmëron njeriun me shprehje si: “A nuk po mendoni? A nuk po meditoni? A nuk po merrni mësim? Etj.

Për rrjedhojë, të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë në mënyrë dinjitoze dhe të fitojnë thellësi e gjallëri shpirtërore, duhet të hyjnë në botën e meditimit, drejt së cilës orienton Kurani Fisnik.

Në këtë rrugë, gjenden tre pika të rëndësishme që do t’ia lehtësojnë punën besimtarit:

1. Përfitimi shpirtëror prej kohës para agimit.

Allahu i Madhëruar i fton të përfitojnë prej kohës para agimit të gjithë ata që dëshirojnë t’i afrohen Atij, sepse koha para agimit është:

— Koha kur kërkimi i faljes është më i pranueshëm.

— Koha e përtëritjes së besimit me Shprehjen e Teuhidit (La ilahe il-lallah).

— Koha më e mirë për dërgimin e selameve dhe salavateve ndaj Profetit tonë dhe shfaqja e dashurisë ndaj tij.

— Koha e parapërgatitjes për atmosferën e varrit, me anë të meditimit rreth vdekjes, në muzgun e mëngjesit.

2. Qëndrimi me njerëzit e sinqertë

Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Teube, 119) 

Njerëzit e mirë dhe të sinqertë ndikojnë pozitivisht në zemër. Ai që përpiqet të shoqërohet me njerëz të mirë e të sinqertë, kërkon prej vetes po këto vlera. Njëlloj, ai që shoqërohet me njerëz negativë, rrezikon të bëhet edhe vetë i tillë.

3. Hallalli si burim force

Hallalli e çon njeriun në mirësi, ndërsa harami e çon në fatkeqësi. 

Nëse njeriu:

— E çon dëm kohën para agimit duke fjetur gjumë,

— Shoqërohet me njerëzit indiferentë dhe negativë, në vend që të shoqërohet me njerëzit e mirë e të sinqertë,

— Nuk bën kujdes që të qëndrojë fort në gjithçka që është hallall, dhe në vend që të mbushet me energji pozitive, ai ngarkohet me negativitete,

Atëherë kjo gjendje e shkatërron meditimin dhe e bën njeriun të ngathët dhe indiferent ndaj detyrave të devotshmërisë.